Secondary Adv

Turizmi rrit qiratë e apartamenteve, çmimet ndryshuan me 20 për qind në 2024

Qiratë e banesave në Shqipëri, sidomos në Tiranë, po rriten me ritme të shpejta, duke u kthyer në faktor kryesor të inflacionit dhe duke rënduar ndjeshëm buxhetet familjare.

Qiratë, përbërësi kryesor i inflacionit në 2025

 

Sipas të dhënave zyrtare, në shtator 2025 inflacioni u regjistrua në 2.4%, ku qiratë kontribuan me 34.5 pikë përqindje, përpara ushqimeve që dhanë 26.2 pikë përqindje. Ky ndryshim tregon se presioni mbi tregun e banesave është bërë faktori më i fortë në rritjen e çmimeve të konsumit.

 

Megjithëse sektori i ndërtimit ka qenë në kulm prej disa vitesh dhe oferta për banesa është rritur, kërkesa e lartë nga turistët, përdorimi i pronave për qira afatshkurtra dhe mbajtja në stok e shumë apartamenteve të papërdorura po rrisin qiratë përtej mundësive të shtresës me të ardhura mesatare.

 

Rritje e fortë e çmimeve të qirave

 

Të dhënat e INSTAT dhe analizat e tregut tregojnë se nga viti 2023 e në vijim, çmimet e qirave janë rritur me ritme të shpejta. Në vitin 2024, rritja mesatare arriti në 20%, sipas një raporti të Deloitte, me apartamente 1+1 në Tiranë që jepen nga 500 deri në 800 euro në muaj, ose 8–12 euro për metër katror.

 

Indeksi i çmimeve të qirave, që nga fillimi i 2025, ka ndjekur një trend të fortë rritës:

Janar: 0.9%

Mars: 2.1%

Prill: 2.5%

Maj: 3.6%

Korrik: 5.4%

Shtator: 6.6%

 

Ky zhvillim tregon se kërkesa për banesa me qira është shtuar ndjeshëm, ndërsa blerja e pronave është frenuar për shkak të çmimeve të larta të ndërtimit.

 

Nga qëndrueshmëri në rritje të përshpejtuar

 

Në periudhën 2016–2020, tregu i qirave ishte relativisht i qëndrueshëm, me rritje vjetore minimale prej 0.0% – 1%, për shkak të ofertës së bollshme të apartamenteve të reja dhe emigracionit të lartë.

Gjatë pandemisë së vitit 2020, qiratë ranë përkohësisht, pasi kufizimet dhe mbyllja e turizmit ulën kërkesën.

 

Por pas vitit 2022, panorama ndryshoi plotësisht. Rritja e turizmit dhe zgjerimi i platformave Airbnb dhe Booking e zhvendosën një pjesë të madhe të pronave nga tregu i qirave afatgjata në qira ditore.

 

Airbnb dhe mungesa e ofertës për qira afatgjata

 

Në fund të vitit 2024, sipas të dhënave të Airbnb, në Shqipëri ishin të disponueshme rreth 21 mijë njësi banimi për qira ditore, të cilat gjeneruan 85 milionë euro të ardhura, pothuajse dyfish më shumë se një vit më parë. Kjo zhvendosje e pronave drejt tregut të turizmit ka reduktuar ndjeshëm ofertën për banim afatgjatë, duke shtuar presionin mbi çmimet për qytetarët vendas.

 

Çmimet e ndërtimit dhe blerjet për investim

 

Në Tiranë, ndërtimi i apartamenteve të reja është intensiv, por çmimi mesatar prej 2000–2100 euro/m² i bën të paarritshme për shumicën e familjeve me të ardhura mesatare. Shumë prej këtyre apartamenteve blihen nga emigrantë ose investitorë që nuk i përdorin për banim të përhershëm, duke krijuar një mungesë reale të ofertës funksionale të qirave.

 

Ndërkohë, migrimi i brendshëm drejt Tiranës vazhdon të jetë një shtysë e fortë për kërkesën, duke e bërë tregun e qirave gjithnjë e më të shtrenjtë dhe më të pakapshëm për banorët vendas.

 

/Monitor (https://monitor.al/rritja-e-cmimeve-te-banesave-dhe-turizmi-si-po-fluturojne-qirate/)


Më të lexuarat